Intervistë me Azem Sadikun, kryetar i Komunës së Studeniçanit

Komuna e Studeniçanit ka një sipërfaqe prej 274 kilometra katrorë dhe renditet ndër komunat e mesme në Republikën e Maqedonisë. Në përbërje të komunës ka 19 vendbanime, prej të cilave 18 janë ekzistuese, ndërsa një fshat është zhvendosur plotësisht, Kalldireci. Vendi qendror dhe selia e komunës është në Studeniçan, ndërsa vendbanimet e tjera janë Batinca, Draçevica, Koliçani i Poshtëm, Koliçani i Epërm, Uji i Kuq (Cërvena Voda), Alldinca, Cvetova, Ellova, Maja e Zezë, Markova Sushica, Vërtekica, Mallçishta, Umova, Pagarusha, Osinçani, Gaberi dhe Morana.

Në komunën e Studeniçanit ka tre shkolla qendrore, ndërsa në të gjitha vendbanimet e tjera funksionojnë shkollat fillore rajonale.

“Ky është mandati juaj i tretë si kryetar i Komunës së Studeniçanit. Në çfarë gjendje është komuna, gjegjësisht në çfarë kushtesh financiare, kadrovike dhe hapësinore dhe cilat janë problemet më të mëdha me të cilat po ballafaqoheni?

Sadiki: Para disa muajve e fillova mandatin tim të tretë, i dyti i njëpasnjëshëm. Të gjitha komunat në Maqedoni po ballafaqohen me shumë probleme financiare, ndërsa veçanërisht ato rurale, si komuna jonë sepse u janë dhënë shumë obligime komunave derisa një përqindje shumë e vogël e mjeteve derdhen në buxhetin e komunës.

Një ndër problemet më të mëdha deri më tani e kishim infrastrukturën rrugore, por falë punës tonë të mundimshme në mandatin paraprak, një pjesë me mjetet tona, ndërsa shumë më shumë me grantet e Programit IPA arritëm të ndërtojmë shumë rrugë lokale. Me këtë mbeti shumë pak për përfundim me ndërtimin e të gjitha rrugëve kryesore të territorit të Komunës së Studeniçanit, gjithsesi këtu hyjnë rrugicat e vogla.

Çfarë është ajo që duhet të ndryshohet që gjendja në komunë të pëmirësohet?

Sadiki: Fillimisht shteti duhet të aprovojë, gjegjësisht ta rrisë përqindjen e tatimit i cili paguhet në komunë. Gjithashtu pushteti qendror duhet t’i nxisë komunat me mjete financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme për njerëzit të cilët jetojnë në ato komuna.

Pa mbështetje serioze nga ana e pushtetit qendror për projektet e rëndësishme siç janë furnizimi me ujë, kanalizimi fekal dhe infrastruktura rrugore nuk mund të ndryshohet gjendja në komunat rurale. ne jemi të gatshëm, kemi projekte, me të cilat kemi aplikuar në çdo thirrje publike.

Cilat janë prioritetet  në punën tuaj dhe projektet e ardhshme të cilat duhet të realizohen në komunën e Studeniçanit?

Sadiki: Në këtë mandat me ekipin tim duam më shumë të kthehemi në projekte të reja, siç janë ndërtimi i kopshteve sepse në komunën tonë  nuk kemi kopsht. Gjithashtu e përfunduam  tërë dokumentacionin projektues për ndërtimin e ndërtesës  për shkollën e parë të mesme në komunën e Studeniçanit. Për momentin kemi parashtruar kërkesë për financimin e këtij projekti në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe në disa agjenci të huaja të cilat janë të pranishme në Maqedoni. Shpresojmë se do të marrim përgjigje pozitive me çka mund të vendoset një projekt shumë i rëndësishëm për komunën tonë.

Kemi projekte për infrastrukturë dhe atë rrugore, të kanalizimit dhe rrjetit të ujësjellësit, me të cilat aplikojmë në të gjitha thirrjet e hapura për grante në shpalljet e Bankës botërore, si dhe  donatorë tjerë./MIA/